Ndërmarrja Shoqërore (NSH) Stacioni i Autobusëve, në Prishtinë, është themeluar në vitin 1977, ndërkaq në hapësirat ekzistuese është vendosur në vitin 1983.

Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, ndërmarrja është administruar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), në ndërkohë që në vitin 2015 është transformuar në ndërmarrje publike komunale, e organizuar si shoqëri aksionare, me Kuvendin Komunal (KK) të Prishtines si pronar të vetem të ligjshem të të gjitha aksioneve të ndërmarrjes. Në këtë kontekst,  KK i Prishtinës ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e parapara me ligjet në fuqi, por edhe me Statut dhe akte të tjera nënligjore të ndërmarrjes.

Ndërmarrja realizon të hyra vetanake dhe nuk varet nga buxheti komunal. Burimet kryesore të të  hyrave janë shërbimi i peronizimit (pranimi dhe përcjellja e autobusëve), shërbimi i shitjes së biletave për operatorët e transportit, shërbimi i ruajtjes së bagazhit të udhëtarëve, shërbimi i parkingut, shërbimi i poligoneve për autoshkolla, qiradhënia e lokaleve afariste në pronësi të Stacionit.

Sipas Statutit, ndërmarrja posedon organet e saj drejtuese: Bordin e Drejtorëve, kryeshefin ekzekutiv, sekretarin korporativ, zyrtarin kryesor të thesarit e financave, auditorin e brendshëm, dhe personelin tjetër mbështetës, të angazhuar sipas skemës organizative të ndërmarrjes.

Aktualisht ndërmarrja numëron 96 të punësuar.